Sanatoria 2020. Deri më 15 korrik rreth 10 mijë kërkesa legalizimi për shqiptarë - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Ministria e Brendshme boton Raportin e tretë me detaje mbi ecurinë e procedurave të legalizimit deri në 15 korrik: janë gjithsej diçka më shumë se 130 mijë kërkesat e legalizimit e për lejeqëndrime të përkohshëm

 

Romë, 17 korrik 2020 – Kur ka mbetur edhe një muaj i vlefshëm për paraqitjen e kërkesave, punëdhënës të ndryshëm në bujqësi, blegtori, peshkim e familje kanë paraqitur 9.935 kërkesa legalizimi për punonjës shqiptarë. E në rreth 20% të rasteve, është shqiptar edhe punëdhënësi.

Kjo del në dritë nga Raporti i tretë dyjavor i botuar nga Ministria e Brendshme italiane mbi ecurinë e procedurave të legalizimit të të huajve të parregullt që punojnë në bujqësi, blegtori, peshkim e pranë familjeve.

Në përgjithësi, deri orën 19:00 të 15 korrikut në portalin e ministrisë kanë mbërritur 123.429 aplikime: 112.328 janë kërkesa të nisura dhe 11.101 janë në përgatitje e sipër. Përsa u përket sektorëve, vërehet se pjesa më e madhe e të huajve që kërkohet të legalizohen punojnë pranë familjeve: në fakt 97.968 (87%) nga kërkesat e nisura dhe 8.386 (76%) nga kërkesat në fazë përgatitore kanë të bëjnë me legalizimin e bashkëpunëtorëve shtëpiakë dhe kujdestarëve për persona të pamundur.

Ndërsa legaizimet në bujqësi, blegtori e peshkim përbëjnë vetëm 13% të kërkesave të nisura (e thënë ndryshe janë 14.360 kërkesa) dhe 24% të atyre në përgatitje e sipër (4.033).

Përsa i përket komunitetit shqiptar, për ta janë nisur 6.698 kërkesa legalizimi si bashkëpunëtorë familjarë dhe 2.937 kërkesa legalizimi në bujqësi, blegtori apo peshkim.

Gjithnjë sipas ministrisë së Brendshme italiane, shqiptarët spikasin jo vetëm si punonjës për të cilët kërkohet legalizimi i marrëdhënies së punës por edhe mes punëdhënësve, pjesa dërrmuese e të cilëve janë natyrisht italianë. nga të dhënat zyrtare rezulton se 1.456 familje shqiptarësh kanë aplikuar për legalizimin e bashkëpunëtorëve familjarë e 338 sipërmarrës shqiptarë për legalizimin e një kontrate pune në bujqësi, blegtori apo peshkim.

Ndërsa përsa u përket kërkesave për lejeqëndrime të përkohshme të paraqitura nga vetë migrantët e parregullt pranë zyrave të postës, numri i tyre mmbetet shumë i ulët. Ministria e Brendshme njofton, pa dhënë asnjë detaj mbi prejardhjen e të huajve, se deri në mes të korrikut kanë aplikuar  5.733 migrantë.

Për legalizimin e pajisjen me lejeqëndrim të përkohshëm mund të aplikohet deri më 15 gusht 2020. Për legalizimin e marrëdhënieve të punës kërkesat paraqiten online nga punëdhënësit përmes portalit të ministrisë së Brendshme në https://nullaostalavoro.dlci.interno.it/. Të huajt që kanë pasur lejeqëndrim deri në fund të tetorit 2019 mund të paraqesin kërkesë për lejeqëndrim të përkohshëm pranë sporteleve “Amico” të 5.700 zyrave Postare në mbarë Italinë. Për më shumë informacione rreth legalizimit të të huajve të parregullt shko në faqen Speciale Sanatoria 2020

Shkarko: Raporti i ministrisë së Brendshme mbi aplikimet për legalizimin e punonjësve të huaj deri më 15 korrik 2020
K.B./Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)